Secondary Adv

Rrogat rriten, por çmimet shtrenjtohen më shumë, paga reale vlen 150 euro më pak se në 2020

Rritja e pagave në Shqipëri po zbehet nga shtrenjtimi i fortë i jetesës, ndërsa të dhënat e INSTAT tregojnë se fuqia reale blerëse e qytetarëve ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2020.

Edhe pse paga mesatare mujore bruto ka kaluar nivelin e 86 mijë lekëve në tremujorin e fundit të vitit 2025, vlera reale e saj rezulton dukshëm më e ulët për shkak të inflacionit të akumuluar gjatë viteve të fundit.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, paga reale mesatare mujore bruto për të njëjtën periudhë ishte vetëm 72,225 lekë, ose 14,759 lekë më pak krahasuar me pagën nominale. Në përqindje, diferenca arrin në rreth 17%.

 

Kjo do të thotë se me pagën aktuale prej rreth 86 mijë lekësh, një qytetar shqiptar mund të blejë afërsisht të njëjtat mallra dhe shërbime që në vitin 2020 i blinte me rreth 72 mijë lekë.

 

Inflacioni po gërryen rritjen e pagave

Të dhënat tregojnë se hendeku mes pagës reale dhe asaj nominale është zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Në fillim të vitit 2023 diferenca mes tyre ishte rreth 12%, ndërsa në fund të vitit 2025 arriti në 17%, duke reflektuar ndikimin e inflacionit të akumuluar mbi fuqinë blerëse të familjeve.

 

Kjo situatë tregon se standardi i jetesës po përballet me presion të fortë, pasi rritja monetare e pagave nuk ka arritur të neutralizojë rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë.

 

Ekspertët vlerësojnë se çmimet kanë ecur me ritme më të shpejta sesa të ardhurat, duke bërë që qytetarët të ndjejnë gjithnjë e më shumë tkurrjen e fuqisë reale blerëse.

 

Tregu i punës dhe taksat ndikojnë te paga reale

Një nga faktorët që po ndikon në këtë situatë është edhe reagimi i vonuar i tregut të punës.

Megjithëse bizneset kanë rritur pagat për të mbajtur fuqinë punëtore, rritjet shpesh nuk arrijnë të kompensojnë plotësisht shtrenjtimin e jetesës që ka ndodhur në muajt apo vitet e mëparshme.

 

Një tjetër faktor lidhet me efektin fiskal të rritjes së pagave. Në shumë raste, rritja nominale e të ardhurave i kalon individët në fasha më të larta tatimore, duke bërë që një pjesë e mirë e shtesës të përthithet nga taksat dhe kontributet.

Si rezultat, paga neto reale që mbetet për konsum vijon të humbasë vlerë.

 

Presionet ekonomike dhe kursi i këmbimit

Goditjet në zinxhirët globalë të furnizimit, inflacioni ndërkombëtar dhe paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit kanë ndikuar gjithashtu në zhvlerësimin e fuqisë blerëse.

 

Sipas analizave ekonomike, një pjesë e rritjes së pagave nuk ka ardhur si rezultat i rritjes së produktivitetit në ekonomi, por si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore dhe vendimeve administrative për rritjen e pagave.

 

Kjo ka krijuar presione shtesë mbi çmimet, duke ushqyer më tej inflacionin dhe duke ulur në praktikë vlerën reale të pagave.

Në terma realë, paga mesatare në Shqipëri sot vlen rreth 150 euro më pak në krahasim me fuqinë blerëse që kishte në vitin 2020.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat